Në Tiranë lindi Pandeli Majko, veprimtar politik, ministër e kryeministër. Në vendlindje kreu dhe shkollën e mesme. Ndoqi studimet e larta për inxhinieri mekanike dhe u diplomua në Universitetin e Tiranës; më pas kreu dhe Fakultetin Juridik. Pjesëmarrës aktiv në Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990 dhe një nga drejtuesit e saj. Në vitet 1992–1995 ishte kryetar i Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar; 1996–1997 sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe kryetar i Grupit Parlamentar të saj. Kryeministër në periudhën tetor 1998 – tetor 1999, gjatë së cilës përballoi me sukses situatën e jashtme e të brendshme të krijuar në pranverën dhe verën e vitit 1999 nga ngjarjet në Kosovë dhe nga ardhja e rreth 500 mijë shqiptarëve të shpërngulur me dhunë nga vatrat e tyre në Kosovë. Ministër i Mbrojtjes (gusht 2001 – janar 2002). Nga shkurti 2002 deri në korrik 2002 ishte përsëri Kryeministër i Shqipërisë. Më pas përsëri ministër i Mbrojtjes. Deputet në të gjitha legjislaturat që nga viti 1992. (Në fotografi: Pandeli Majko)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1593.
Fotografia: © https://diaspora.gov.al/ministri/
Përpunim grafik: AHCF




