U mblodh në Tiranë Asambleja Kushtetuese, me deputetët që kishin mbetur pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit. Asambleja e shpalli Shqipërinë Republikë Parlamentare me president Ahmet Zogun, i cili kishte fuqi të tilla, që e shndërronin Republikën Parlamentare në Republikë Presidenciale. Statuti i Republikës Shqiptare sanksionoi dy parime themelore të jetës shtetërore: ruajtjen dhe konsolidimin e pavarësisë dhe vënien në jetë e parimeve demokratike kushtetuese që respektonin sovranitetin e popullit, të miratuara në Kongresin e Lushnjës. Në Statut u ligjëruan parimet dhe liritë demokratike, si ndarja e pushteteve dhe liritë e të drejtat e njeriut. Presidenti i Republikës zgjidhej nga parlamenti shqiptar një herë në shtatë vjet. Modeli mbi të cilën u mbështet Republika Shqiptare ishte Republika presidenciale e SHBA-së. (Në fotografi: Ahmet Zogu, president.)
Teksti: Historia e Popullit Shqiptar – Vëll. III, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2007, faqe 249-251.
Fotografia: © https://commons.wikimedia.org/wiki/File:King_Zog.jpg
Përpunim grafik: AHCF




