Në Mali Kolaj, në Velipojë, lindi dom Dedë Malaj, klerik katolik, martir i Kishës Katolike. Pas shkollës fillore dhe të mesme, që e kreu në Seminarin Papnor Shqiptar në Shkodër, i vazhdoi studimet në Itali. U shugurua meshtar në Castel Gandolfo të Romës, më 20 dhjetor 1942. Pas kthimit në Shqipëri, shërbeu në zonën e Dajçit të Bregut të Bunës. Është një nga klerikët që nuk pranuan të nënshkruanin Statutin e Kishës Katolike të Shqipërisë (26 qershor 1951). U arrestua, ngaqë dërgoi jashtë shtetit listën e meshtarëve të pushkatuar. Me vendim nr. 5, datë 27 tetor 1952, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë e deklaroi fajtor për “tradhti ndaj atdheut” dhe për “agjitacion e propagandë” dhe e dënoi me vdekje, me pushkatim, si dhe konfiskimin e pasurisë. U pushkatua në moshën 42-vjeçare (1959). U shpall martir i Kishës nga Papa Françesku, në prill të vitit 2016. (Në fotografi: Dedë Malaj)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. V, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2016, faqe 166–167.
Fotografia: © https://kishakatolikeshkoder.com/dom-dede-malaj/
Përpunim grafik: AHCF




