U çlirua kryeqyteti i Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. Më 29 tetor 1944, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, Divizioni I Sulmues i komanduar nga Mehmet Shehu, nisi sulmin për çlirimin e Tiranës. Luftimet për çlirimin e Tiranës do të shënonin kulmin e luftës në fazën përfundimtare të saj. Brenda natës së parë, pothuajse gjysma e qytetit ra në duart e forcave partizane. Më 30 tetor 1944 luftohej në qendër të kryeqytetit. Atë ditë Shtabi i Divizionit I vendosi selinë e vet brenda në qytet. Luftimet për çlirimin e Tiranës vazhduan rrugë më rrugë, barrikadë më barrikadë dhe shpesh shtëpi më shtëpi Më 17 nëntor 1944, në mëngjes qëndresa e armikut përfundoi dhe Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, u çlirua. Gjatë 19 ditëve që vazhduan luftimet, forcat gjermane lanë më tepër se 2000 të vrarë, midis tyre dhe oficerë madhorë të identifikuar, si dhe mjaft të plagosur. U zunë më tepër se 300 robër dhe një sasi materiali luftarak. Nga forcat partizane pati 417 të vrarë e të plagosur, kurse nga popullsia civile qindra të masakruar barbarisht nga gjermanët. (Në fotografi: Lufta e barrikadave)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. IV, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2009, faqe 101–102.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




