U nda nga jeta në Prishtinë Ibrahim Rugova, presidenti i parë i Republikës së Kosovës, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe studiues. Shkollën e mesme e kreu në Pejë (1967) dhe studimet e larta i kreu për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Në vitet 1976–1977 studioi në Ecole Pratique des Hautes Etudes (Shkolla praktike e studimeve të larta), në Paris. Më 1984 mbrojti doktoraturën për letërsi në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1988, u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Me formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh kryetar i saj (23.12.1989) dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 2005. Me formimin e partive të tjera politike shqiptare, ai u zgjodh kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike të Shqiptarëve të Kosovës (22.07.1991). Gjatë zgjedhjeve të drejtpërdrejta parlamentare dhe presidenciale të majit 1992 dhe qershorit 1998, të organizuara nga partitë politike dhe institucionet shqiptare të Kosovës, Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i Republikës së Kosovës. Ai u rizgjodh president i Republikës së Kosovës në mars 2002 dhe në dhjetor të vitit 2004. Ibrahim Rugova është laureat i shumë çmimeve dhe dekoratave ndërkombëtare, ndërmjet të cilave: Çmimi për Paqen i Fondacionit “Paul Litzer”, në Danimarkë (1995); Çmimi për Paqen i Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrosco i Farmiguera”. (Në fotografi: Ibrahim Rugova)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2265-2266.
Fotografia: © Andrea Llukani
Përpunim grafik: AHCF




