U formua Divizioni VI Sulmues i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Në të u rreshtuan: Brigada VI Sulmuese, Brigada VII Sulmuese, Brigada VIII Sulmuese, Brigada XXII Sulmuese me mbi 4000 partizanë e partizane. Divizioni VI zhvilloi veprime luftarake mësymëse përtej kufijve kundër forcave të divizionit 181 të Korparmatës XXI Malore të Gruparmatës “E” dhe të forcave të tjera gjermane, si dhe të bandave të shumta çetnike, që arrinin në disa mijëra veta. Në ditët e para të dhjetorit 1944, Divizioni VI Sulmues i shtriu veprimet luftarake prej malit të Deçiçit, Lieva Rjeka, në të djathtë të lumit Moraça, në një front prej më tepër se 50 km. Më 10–13 dhjetor brigadat e Divizionit VI Sulmues u hodhën në mësymje të përgjithshme, duke u prerë rrugën e tërheqjes forcave gjermane. Fronti i mësymjes shtrihej nga Planina deri në Lieva-Rjeka. Më 14 dhjetor Brigada XXII Sulmuese çliroi Tuzin dhe fshatrat shqiptare në rrethinat e tij, ndërsa Brigada VI Sulmuese, Brigada VII Sulmuese, Brigada VIII Sulmuese luftuan dhe shpartalluan armikun në Kosovë, Medun, Bresku, Lieva-Rjeka. Më 16–19 dhjetor u zhvilluan luftime të ashpra ballore, në shkallë divizioni, gjatë rrugës Podgoricë-Kolashin, ku mbetën rreth 1000 të vrarë nga forcat armike. Më 18.12.1944, në bashkëpunim me forcat e Brigadës IX të Divizionit III të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Jugosllave, forcat e Brigadës VII Sulmuese dhe e Brigadës XXII Sulmuese të Divizionit I Sulmues çliruan Podgoricën. Në luftimet për çlirimin e Malit të Zi, vetëm nga efektivi i Divizioni VI Sulmues ranë 50 partizanë dhe u plagosën 100 të tjerë, kurse humbjet e armikut ishin të shumta, si në njerëz dhe në materiale luftarake. Brigadat e Divizioni VI Sulmues u vunë në ndjekje të armikut, që tërhiqej drejt Bosnjës Jugore. Ky operacion filloi më 19.12.1944 dhe mbaroi më 14.02.1945, me çlirimin e qyteteve Rudo, Suhagorë, Drinsko dhe Vishegrad. Vetëm në luftimet për çlirimin e Vishegradit armiku pati 754 të vrarë dhe 1000 të plagosur. Nga Divizioni VI Sulmues ranë heroikisht në fushën e luftës 35 partizanë dhe u plagosën 61. Gjatë 76 ditëve që vijuan luftimet e forcave të Divizionit VI Sulmues jashtë kufijve shtetërorë, i shkaktuan armikut 3758 ushtarë e oficerë të vrarë e të plagosur. Divizioni VI Sulmues u kthye në atdhe në dhjetor 1945. Shtabi i Divizionit VI Sulmues drejtohej nga Gjin Marku dhe komisar Myzafer Spaho. Botonte organin “Buletini i lajmeve” dhe revistën “Vllazërimi i popujve”. (Në fotografi: Të rinj të Divizioneve V dhe VI.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 493–494.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




