Nënshkrimi i Paktit II të Tiranës

Lexo ngjarje:

Në Romë u nënshkrua Pakti II i Tiranës, i quajtur “Traktati i aleancës mbrojtëse”. Traktati vendoste ndërmjet Italisë e Shqipërisë një “aleancë mbrojtëse të pandryshueshme” për një periudhë prej 20 vjetësh, afat ky i pashembullt në marrëdhëniet e shteteve të tjera. Në rast të një sulmi nga jashtë, secila nga palët nënshkruese do ta ndante fatin e palës tjetër, duke vënë në shërbim të “aleates” së vet të gjitha mjetet luftarake, financiare etj., në rast se kjo kërkohej nga pala e kërcënuar. Traktati i ri e forcoi më tej ndikimin e Italisë në Shqipëri, me anë të ndërhyrjes ushtarake në rast lufte e agresioni, si dhe i dha formën e maskuar “të reciprocitetit” që i mungonte atij të vitit 1926. Më në fund, afati i këtij traktati, i caktuar për 20 vjet, i jepte mundësi Italisë që, edhe në rast se traktati i vitit 1926 me afat për 5 vjet nuk do të përsëritej më nga qeveria e Tiranës, siç ndodhi në të vërtetë, kontrolli italian mbi Shqipërinë dhe mundësia për ndërhyrje në punët e saj të brendshme nuk shmangej. “Traktati i aleancës mbrojtëse” synonte, në fund të fundit, ta kthente Shqipërinë në një bazë ushtarake të Italisë në Ballkan. Pakti II i Tiranës u bë edhe më efektiv, kur më 31 gusht të vitit 1928 u plotësua me marrëveshjet e reja të fshehta ushtarake italo-shqiptare, që përcaktonin me hollësi mënyrën e vendosjes së kontrollit ushtarak italian mbi Shqipërinë, si dhe mënyrën e zbatimit të paktit në rast lufte e agresioni. Sipas këtyre marrëveshjeve, qeveria shqiptare detyrohej të merrte si organizatorë në ushtrinë shqiptare vetëm oficerë italianë. Oficerët italianë, ndryshe nga oficerët e vendeve të tjera, nuk detyroheshin të merrnin shtetësinë shqiptare, por vetëm të mbanin uniformën shqiptare. Ata megjithëqë paguheshin nga shteti shqiptar, vijonin të quheshin oficerë të ushtrisë italiane. Kështu, sipas marrëveshjes, në Shqipëri u vendos një mision i ri ushtarak i përbërë nga 280 oficerë italiane, i cili kryesohej nga gjenerali Alberto Pariani. Krahas organizatorëve ushtarakë, në krye të ushtrisë shqiptare, që nuk duhej t’i kalonte të 6 mijë vetët, do të kishte një shtab oficerësh, i cili duhej të varej drejtpërdrejt nga kryetari i shtetit shqiptar e jo nga komanda e lartë e ushtrisë shqiptare. Pranë Ahmet Zogut caktohej një këshilltar italian, i cili ishte i plotfuqishëm për çështjet ushtarake dhe pa këshillat e të cilit vetë Ahmet Zogu nuk merrte asnjë vendim në këtë fushë. Pakti II i Tiranës u pa si nënshtrim i vendit e më pas ndikues për pushtimin e tij. Ky pakt acaroi më tej marrëdhëniet ndërmjet Francës dhe Jugosllavisë nga njëra anë, dhe Italisë e Shqipërisë nga ana tjetër. (Në fotografi: Firmëtarët menjëherë pas nënshkrimit të Paktit II, 1927.)

Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. III, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2007, faqe 269–270.

Fotografia: © https://bulevardionline.com/pakti-i-dyte-i-tiranes/

Përpunim grafik: AHCF 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Luftimet e Luzhnicës

Në Kosovë u zhvilluan “Luftimet e Luzhnicës” kundër forcave serbe në Bajrak të Luzhnicës (Kosovë).
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img