Në Shëngjergj të Tiranës u formua Brigada II Sulmuese e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. U formua me partizanë e kuadro nga Tirana, Elbasani, Berati, Gjirokastra dhe krahina të tjera të vendit. Fillimisht përbëhej prej 450 vetash të organizuar në 3 batalione. Brigada drejtohej nga një shtab me komandant Beqir Ballukun e komisar Vasil Konomin. Pas formimit hyri në luftë për spastrimin e zonës së Çermenikës e të Dibrës nga forcat armike. Në Mësymjen e Përgjithshme armike të Dimrit 1943–1944, e ndodhur në zonën e Çermenikës, Shëngjergjit, Zaranikës e Kërrabës, zhvilloi luftime kundër forcave armike, ku pësoi humbje të rënda. Në fund të dhjetorit 1943 forca të Brigadës II Sulmuese dolën në zonën e Tiranës dhe kryen disa veprime luftarake, sidomos në Brar e në Tujan. Në prill 1944, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, Brigada II Sulmuese kaloi në krahinën e Korçës, ku u riorganizua dhe u plotësua me partizanë e kuadro. Gjatë Mësymjes së Përgjithshme armike të qershorit 1944, Brigada II Sulmuese zhvilloi luftime në zonën Leskovik-Përmet, kaloi në prapavijë të armikut, spastroi zonën e Dangëllisë dhe luftoi kundër forcave armike në zonën Leskovik-Kolonjë-Korçë-Devoll; çliroi Leskovikun, Ersekën dhe, në bashkëveprim me Brigadën IX Sulmuese, Korçën e Bilishtin, goditi kolonat armike gjatë tërheqjes në rrugën Strugë-Përrenjas-Librazhd. Nga radhët e saj ranë 41 dëshmorë. Më 14.12.1944 u rreshtua në Divizionin VII Sulmues. (Në fotografi: Brigada II Sulmuese në ditën e inaugurimit.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 296–297.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




