Në Prekaz të Drenicës (Kosovë) lindi Adem Jashari, themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtar dhe komandant legjendar, hero i Luftës Çlirimtare të popullit të Kosovës. Kreu shkollën e mesme teknike. Mori pjesë në demonstratat e vitit 1981. Deri në vitin 1989, qëndroi ilegal duke shpërndarë trakte e pamflete, që bënin thirrje për t’u hedhur në luftë. Në vitin 1989, bashkë me të vëllanë, Hamzën, mori pjesë në demonstrata. Në vitin 1990 organizoi grupet e para të armatosura, duke krijuar lidhje me njerëz anembanë Kosovës. Në vitin 1991, Adem Jashari me një grup shokësh kaluan jashtë Kosovës, ku u stërvitën ushtarakisht. Pasi u rikthyen në Kosovë, krijuan grupet e armatosura dhe filluan aksionet kundër policisë serbe në Skënderaj, Gllogoc, Mitrovicë etj. Policia serbe ra në gjurmë të Adem Jashari dhe më 30.12. 1991 i rrethoi shtëpinë, ku ai ndodhej së bashku me dy vëllezërit, Rifatin e Hamzën. Ata nuk pranuan të dorëzohen, çanë rrethimin dhe u larguan, duke plagosur disa policë. Kjo ngjarje ngriti në këmbë gjithë krahinën e Drenicës dhe për 7 vjet serbët nuk mundën të hynin atje. Më 2 mars 1998, forca të shumta ushtarako-policore serbe, të shoqëruara me tanke, autoblinda dhe artileri, rrethuan shtëpinë e Ademit. Nga të 30-të anëtarët e familjes, atë natë në shtëpi ndodheshin 22. Ata luftuan si një trup i vetëm tri ditë e tri net, derisa u vranë që të gjithë (21 veta nga mosha 9 deri 74 vjeç), me përjashtim të një vajze të vogël, e cila u fsheh në gjirin e nënës së vdekur. Në fshatin Prekaz i Epërm të Drenicës, gjatë sulmit makabër treditor të forcave militare dhe paramilitare serbe ndaj familjes Jashari, ra dëshmor në vitin 1998. Në Prekaz, pranë kullës së Adem Jashari të shndërruar në muze, ndodhet parcela e varreve të tyre, që është kthyer në një vend homazhesh të përhershme. Adem Jashari është shpallur Komandant Legjendar. (Në fotografi: Adem Jashari)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1064-1065.
Fotografia: © Agjencia Telegrafike Shqiptare
Përpunim grafik: AHCF




