U çel në Elbasan Shkolla Normale (pedagogjike), shkolla e parë e mesme kombëtare shqipe. Mësuesit e saj të parë ishin atdhetarë të njohur dhe njerëz të shquar në lëmin e kulturës, si Aleksandër Xhuvani (diplomuar në Greqi për filologji, i dalluar në fushën e letërsisë), Sotir Peci (i diplomuar gjithashtu në Greqi për matematike-fizikë, drejtor i gazetës “Kombi”) etj. Drejtor i parë i saj u caktua Luigj Gurakuqi, i cili vuri të gjitha forcat dhe aftësitë e tij në shërbim të arsimit kombëtar. Në Shkollën Normale jepnin gjithashtu mësim Peter Dodbiba, Simon Shuteriqi, Hasan Mejza dhe Hafiz Ibrahim Dalliu. Shkolla Normale kishte gjashtë klasa, me një plan mësimor prej 30 lëndësh, humanitare, të shkencave të natyrës etj. Ajo dallohej për karakterin e saj kombëtar, që përcaktohej nga përmbajtja e lëndëve dhe nga fakti se pranonte nxënës të të gjitha besimeve fetare, myslimanë e të krishterë. Atdhetarët bashkëkohës e çmonin atë si një vatër të formimit atdhetar të brezit të ri. Qysh në vitin e parë të themelimit të saj (1909–1910) Shkolla Normale e Elbasanit pati 160 nxënës të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë. Disa prej tyre, rreth 50 nxënës, kishin ardhur nga Kosova, Rrafshi i Dukagjinit e Dibra, të dërguar nga klubet shqiptare, si ai i Shkupit, i Dibrës etj. dhe me kujdesin e veçantë të atdhetarëve Hasan Prishtina, Bajram Curri, Nexhip Draga etj. Përhapja e mëtejshme e shkollave dhe e shkrimit shqip u pengua për shkak të shpërthimit të reaksionit xhonturk kundër kulturës dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. (Në fotografi: Trupi i parë mësimor së bashku me disa miq të Shkollës Normale të Elbasanit, 1909.)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2002, faqe 418–419.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




