Në Shkodër lindi Alfred Moisiu, President i Republikës së Shqipërisë në vitet 2002–2007, gjeneral, doktor i shkencave ushtarake. Lindi në familjen e Spiro Moisiut. Mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kreu shkollën e xhenios në Leningrad (1946–1948). Shërbeu në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë (1948–1949), instruktor në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” (1949–1951). Ndoqi studimet e larta në Akademinë e Xhenios në Moskë (1952–1958), ku u diplomua me medalje të artë. Në vitet 1958–1966 punoi në Drejtorinë e Xhenios në Ministrinë e Mbrojtjes. Kreu kursin e lartë të Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë (1967–1968). Drejtor i Xhenios dhe i Fortifikimit në Ministrinë e Mbrojtjes (1971–1981), zv.ministër i Mbrojtjes (1981–1982). Gjatë spastrimeve politike të kësaj periudhe u shkarkua nga kjo detyrë dhe u caktua shef i xhenios në Brigadën e Burrelit, ku doli në pension (janar 1985). Përkrahu ndryshimet demokratike dhe vendosjen e pluralizmit në vitin 1990. Në dhjetor 1991 pranoi detyrën e ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë Teknike (dhjetor 1991 – mars 1992). Pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e marsit 1992 u emërua në fillim këshilltar i ministrit të Mbrojtjes (1992–1994) dhe më pas zv.ministër i Mbrojtjes (1994–1997). Në vitin 1994 u zgjodh president i Shoqatës Shqiptare të Atlantikut (shoqatë jo-qeveritare). Kreu një kurs për personalitete të larta në Kolegjin Ushtarak të NATO-s në Romë (1995). Më 24 qershor 2002, me bashkëpëlqimin e të gjitha forcave politike parlamentare, Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi President të Republikës së Shqipërisë. Është dekoruar me urdhrin “Ylli i Kuq”, Urdhrin e Skënderbeut të klasit III e klasit II, me Urdhrin e Shën Mikelit e Urdhrin e Shën Gjergjit nga Mbretëresha e Britanisë së Madhe Elisabeta II, me Urdhrin e Kryqit të Madh të Meritës nga Presidenti i Polonisë. (Në fotografi: Alfred Moisiu)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1755.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Alfred_Moisiu
Përpunim grafik: AHCF




