Ibrahim Rugova

Lexo ngjarje:

Në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut (Kosovë) lindi Ibrahim Rugova, president i Republikës së Kosovës, politikan, shkrimtar. Kur ishte njëvjeçar, komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin (Ukë Rugova) dhe gjyshin (Rrustë Rugova). Pas shkollimit fillor në vendlindje, mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë, kurse studimet i kreu në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës (1971). Ishte redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971–’72). Pas diplomimit, për dy dekada punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues në fushën e letërsisë. Për një kohë ishte edhe kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike”, botim i këtij Instituti. Një vit akademik (1976/77) qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes. Doktoroi më 1984 në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës. Deri në fund të viteve ’80 të shekullit XX, Ibrahim Rugova zhvilloi aktivitet të dendur letrar. Në vitin 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e cila u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që kundërshtonte sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë. Në vitin 2005 shtëpia botuese “Faik Konica” e Prishtinës botoi kompletin e veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime. Në jetën politike Ibrahim Rugova hyri në dhjetor 1989, kur u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë, e cila sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. Nën udhëheqjen e tij Lidhja Demokratike e Kosovës, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës, me Deklaratën e Pavarësisë (2 korrik 1990), me shpalljen e Kosovës Republikë (miratimi i Kushtetutës më 7 shtator 1990), me referendumin popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës (shtator 1991), me zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe me zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës (24 maj 1992). Në ato zgjedhje të para postkomuniste në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi shumicën e vendeve në Kuvend, ndërsa Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës. Në zgjedhjet e dyta, në mars të vitit 1998, u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, kurse partia që e kryesonte, Lidhja Demokratike e Kosovës, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, Ibrahim Rugova qëndroi me familjen e tij në Prishtinë, si peng i pushtuesit serb. Në fund të periudhës së bombardimeve u largua nga Kosova me ndihmën e Qeverisë Italiane dhe deri në çlirimin e Kosovës qëndroi me familjen në Romë. Pas hyrjes së trupave të KFOR-it (Kosova Force) u kthye në Kosovë dhe u bë pjesë e institucioneve transitore të Kosovës në periudhën e UNMIK-ut (United Nations Mision in Kosovo/Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë). Në zgjedhjet e organizuara nga UNMIK-u, partia Lidhja Demokratike e Kosovës nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës fitoi në zgjedhjet lokale (në tetor të vitit 2000) dhe në zgjedhjet e para të përgjithshme (2001). Në vitin 2002 Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës dhe u rizgjodh në këtë post në vitin 2004. Si mbështetës i opsionit paqësor për zgjidhjen e çështjes së Kosovës gëzoi përkrahje të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare dhe u nderua me shumë çmime prestigjioze: Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë (1995), Doktor Honoris Causa i Universitetit të Parisit VIII në Sorbonë, Francë (1996), Çmimi “Saharov” i Parlamentit Evropian (1998), Çmimi për paqe të qytetit Münster, Gjermani (1999) dhe u shpall “Qytetar nderi” i qyteteve italiane: Venecia, Milano dhe Breshia; pastaj Çmimi për Paqe i Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera”, Barcelonë, Spanjë (2000), Çmimi i Evropës për vitin 2004 (i Fondacionit Panevropian “Coudenhove-Kalergi”), Senator Nderi i Evropës nga Senati i Evropës (Atverpen, 2004) dhe çmimi nga Këshilli i Qytetit të Nju-Jorkut (2005). Ibrahim Rugova ushtroi postin e presidentit të Kosovës deri 2006, kur u nda nga jeta në Prishtinë. Në ceremoninë varrimit të tij morën pjesë personalitete të njohura politike dhe burrështetas të shumtë nga bota. (Në fotografi: Ibrahim Rugova)

Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1445–1446.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Ibrahim_Rugova

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Drita Agolli

Lindi në Maqellarë të Peshkopisë Drita Agolli, regjisore e teatrit, aktore, pedagoge e aktrimit, Artiste e merituar.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img