Në spitalin e Prizrenit u nda nga jeta Emin Duraku, pjesëtar i Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, Hero i Popullit. Lindi në Gjakovë, në vitin 1918. Shkollën fillore e kreu në Gjakovë. Më 1932 emigroi në Shqipëri, u vendos në Tiranë dhe pastaj në Shkodër. Për shkak të aktivitetit politik përjashtohet nga gjimnazi i Tiranës (1935) dhe vijon mësimet në Shkodër. Si veprimtar komunist, më 1938 gjykata e Tiranës e dënon me tre vjet burg. Në prill të vitit 1939 arratiset nga burgu dhe vazhdon aktivitetin ilegal në Shkodër. Në korrik të vitit 1939 kthehet në Gjakovë, ku vë kontaktet e para me komunistët e Kosovës. Kthehet sërish në Shkodër dhe më 28 nëntor 1939 organizon demonstratë antifashiste. Pas arrestimit dërgohet në ishullin Vetoteno në Itali. Në vjeshtën e vitit 1941, pas një amnistie, kthehet në Tiranë. Vë kontakt me veprimtarët komunistë dhe dërgohet në Gjakovë, me detyrë që të përhapë idetë komuniste. Në këshillimin e shkurtit të vitit 1942 të Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovë dhe Metohi (Dukagjin) mbajti referatin kryesor. Pasi u kooptua në Byronë e Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste Jugosllave, më 28 nëntor 1942, në fshatin Grackë afër Lipjanit, u vendos në një shtëpi koloni, ku u rrethua dhe pas një rezistence plagoset rëndë. U nda nga jeta në spitalin e Prizrenit. (Në fotografi: Emin Duraku)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 363.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Emin_Duraku
Përpunim grafik: AHCF




