Data 8 dhjetor është shpallur si “Dita Kombëtare e Rinisë”. Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare. Më 8 dhjetor 1990 shpërtheu protesta e parë e studentëve në qytetin “Studenti”. Studentët kërkonin përmirësimin e kushteve të jetesës në konvikte, zgjidhjen e disa problemeve emergjente, si ishte mungesa e dritave, e ngrohjes etj. Pas shpërndarjes së dhunshme të protestës, të nesërmen, më 9 dhjetor, në rrugën kryesore dhe në sheshin e qytetit “Studenti”, disa qindra studentë të revoltuar protestuan me parullën “Liri-Demokraci!” kundër qeverisë. Këto manifestime tregonin se lëvizja nuk ishte thjesht për kërkesa ekonomike, por edhe politike. Më 10 dhjetor studentët u mblodhën përsëri te sheshi i qytetit “Studenti”. Tani atyre u qenë bashkuar dhe një numër i konsiderueshëm pedagogësh të shkollave të larta, qytetarë të Tiranës e të rretheve të tjera. Organizatorët e protestave shpallën nga “tribuna” e porsangritur 11 kërkesa. Thelbin e tyre e përbënte kërkesa për lejimin e pluralizmit politik në vend. Lëvizja studentore e vitit 1990 është e vetmja lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë. Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur. (Në fotografi: Studentë gjatë protestave, 1990.)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. IV, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2009, faqe 360.
Fotografia: © Agjencia Telegrafike Shqiptare
Përpunim grafik: AHCF




