Në Galicë të Drenicës lindi Azem Bejta – Galica, luftëtar në lëvizjen antiosmane dhe prijës i çetave të armatosura kundër Serbisë dhe Malit të Zi, pas vitit 1912. I ati, Bejta, u vra më 1907 në luftë kundër ushtrisë osmane. Në nëntor të vitit 1912, bashkë me 26 vushtrrias zihet rob nga ushtria serbe, dërgohet në llogore në Zajeçar e pastaj në burgun e Pozharevcit, nga i cili u arratis bashkë me shokë në vitin 1915, për t’iu bashkuar çetave kaçake. Bashkëpunoi me Shaqir Smakën deri në vrasjen e tij, më 1917. Nga kjo kohë ai del në krye të çetave. Më 1915 martohet me Qerime Halilin – Shotën, nga Radisheva, me të cilën ishte njohur para se të binte në burgjet serbe. Në qershor të vitit 1915, bashkë me vëllezër dhe Shotën bënë luftën e parë kundër ushtrisë serbe. Po atë vit u njoh me Hasan Prishtinën dhe Bajram Currin, të cilëve iu mbeti besnik deri në vdekje. Me themelimin e Komitetit të Kosovës, në nëntor 1918, emërohet komandant i çetave të armatosura. Në prill–qershor të vitit 1919 udhëhoqi Kryengritjen e Përgjithshme kundër Serbisë, ku morën pjesë mbi 10 mijë kryengritës. Si prijës i çetave, pati rol në formimin e Zonës Neutrale të Junikut. Më 1923, pas shuarjes së kësaj zone, formoi Zonën e Lirë të Drenicës, në fillim në komunën e Prekazit e pastaj e ngushtuar në tri fshatra: Galicë-Mikushnicë-Lubavec, deri në korrik të vitit 1924, kur u sulmua me 2000 forca të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe. Fshatrat u shkatërruan tërësisht, pati edhe shumë viktima. Azem Bejta u plagos rëndë, disa ditë jetoi në Çiçavicë, pastaj me bashkëluftëtarë kaloi në malet e Perçevës. Uu nda nga jeta në vitin 1924, nga plagët e marra. Që kufoma të mos binte në duart e armikut, shokët e tij e varrosën në shpellë. Më 1971, eshtrat e tij u gjetën nga mësuesi Abdyl Krasniqi dhe u varrosën në Galicë. (Në fotografi: Azem Galica)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 143.
Fotografia: © https://pashtriku.org/bedri-tahiri-veprimtaria-luftarake-e-azem-galices-gjate-luftes-se-pare-boterore/
Përpunim grafik: AHCF




