U vra nga UDB-ja jugosllave (shërbimi sekret) Xheladin Hana, veprimtar i lëvizjes për çlirimin e Kosovës, mësues, gazetar. Lindi në Gjakovë, në vitin 1918. Kreu gjimnazin në Shkodër dhe Normalen e Elbasanit. Mori pjesë në lëvizjen demokratike të rinisë shqiptare dhe u bë anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës. Pas vitit 1941 u dërgua në Kosovë si mësues në Elshan dhe në Kijevë dhe u ngarkua nga Partia Komuniste Shqiptare për të organizuar atje Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Më 1942 u burgos në Prizren. Pas lirimit mori pjesë në njësitin partizan “Bajram Curri”, që vepronte në Malësinë e Gjakovës. Ishte një nga hartuesit e dokumenteve të Konferencës së Bujanit (1943). Pas luftës punoi gazetar në radio dhe, një periudhë kohe, mësues në gjimnazin e Prishtinës, pastaj drejtor i gazetës “Rilindja” (1947). U angazhua dhe mblodhi të dhëna të ndryshme arkivale për gjenocidin e jugosllavëve kundër shqiptarëve. U vra si informbyroist dhe nacionalist. (Në fotografi: Xheladin Hana)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 593–594.
Fotografia: © https://www.facebook.com/PreshevaSOT2020/photos/a.683676605153828/1623078931213586/?type=3&locale=id_ID
Përpunim grafik: AHCF




