Selman Riza

Lexo ngjarje:

Në Tiranë u nda nga jeta Selman Riza, gjuhëtar, profesor. Lindi në Gjakovë, në vitin 1909. Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje dhe në Tiranë. Kreu Liceun e Korçës, ndërsa studimet për letërsi i vazhdoi në Universitetin e Tuluzës, Francë. Në të njëjtën kohë mbaroi edhe studimet për jurisprudencë. U emërua profesor në Liceun e Korçës për gjuhët shqipe, frënge, latine dhe gjermane. Më 1939 përfshihet në veprimtari kundër pushtimit italian. Më 1940 transferohet në Liceun e Tiranës, por shpejt e largojnë. Ishte i burgosur dhe i internuar në Ventotene në Itali, për 20 muaj. Iu ndalua edhe puna në arsim për arsye politike. Më 1943 vendoset në Prizren, ku punoi si avokat dhe zhvilloi veprimtari patriotike. Ishte në grupin që krijoi Qendrën e Vogël të Studimeve Kosovare, me degët në Gjakovë, Pejë, Prishtinë e Mitrovicë. U vu në krye të Lëvizjes Antifashiste Irredentiste për pjesën politike, ndërsa pjesën ushtarake e drejtonte Ejup Binaku. Bashkë me anëtarët e Komitetit Intelektual Shqiptar botonte gazetën “Lidhja e Prizrenit”. Në fund të vitit 1944, Selman Riza u kthye në Tiranë, ndërsa në janar të vitit 1945 u burgos nga pushteti komunist. U mbajt në burg pa gjyq për tre vjet dhe më 1948 iu dorëzua Jugosllavisë, me akuzën “kriminel lufte”. Në burgun e Prishtinës u mbajt pa vendim gjykate deri më 1951, kur u internua në Sarajevë. Atje iu lejua të punonte si lektor i frëngjishtes në universitet. Më 1953 u kthye në Prishtinë dhe u caktua punëtor shkencor në Institutin Albanologjik. Në dhjetor të vitit 1955, u mbyll Instituti Albanologjik dhe Selman Riza u deportua në Shqipëri. Në Tiranë u caktua të punonte në Institutin e Shkencave, si punonjës shkencor dhe profesor deri më 1967. Më 1959 mbrojti gradën kandidat i shkencave, ndërsa më 1961 mori gradën profesor. Më 1962 i jepet Çmimi i Republikës. Më 1967, në kohën e ndikimeve politike të Revolucionit Kulturor, u akuzua për “shfaqje të huaja e armiqësore dhe për pikëpamje të papranueshme”. Pas një fushate fletërrufesh, u largua nga puna dhe u internua në Berat, ku punoi si ciceron në muzeun lokal dhe më pas në bibliotekë. Ishte njohës shumë i mirë i gramatikës, si asaj diakronike, ashtu edhe i asaj sinkronike. Dha kontribut për studimin e nyjave të shqipes, të emrave, mbiemrave, përemrave dhe sistemit foljor. Bëri studime të autorëve të vjetër: Buzukut, Matrëngës, Budit, Bardhit dhe Bogdanit. Ndër studimet kryesore të tij janë: “Tri monografina albanologjike” (Tiranë, 1944), “Fillimet e gjuhësisë shqiptare” (Prishtinë, 1952), “Gramatikë e serbokroatishtes” (Prishtinë, 1952), “Pesë autorët më të vjetër të gjuhës shqipe” (Tiranë, 1960) dhe “Sistemi foljor i letrarishtes shqiptare bashkëkohore”, botuar pas vdekjes (Tiranë, 1995). Pas internimit në Berat nuk ka pasur të drejtë botimi. Një pjesë e veprës së tij u publikua në Prishtinë, në vëllimin “Studime albanistike 1” (1979). Vepra e tij u botua në pesë vëllime me titullin “Vepra I–V” nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. (Në fotografi: Selman Riza)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1432.

Fotografia: © Agjencia Telegrafike Shqiptare

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Drita Agolli

Lindi në Maqellarë të Peshkopisë Drita Agolli, regjisore e teatrit, aktore, pedagoge e aktrimit, Artiste e merituar.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img