Haxhi Zeka

Lexo ngjarje:

Në fshatin Shoshan të Malësisë së Gjakovës lindi Haxhi Zeka, atdhetar, tribun popullor, themelues i Lidhjes së Pejës. Bashkë me familjen u shpërngul në qytetin e Pejës. Kreu mejtepin në Pejë dhe Medresenë e Madhe të Gjakovës. Që në rininë e hershme u përfshi në aktivitete antiosmane. Ishte një nga organizatorët dhe pjesëmarrës në Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 10 qershor të vitit 1878 dhe, si përfaqësues i nahijes së Pejës, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes. Dha kontribut në konsolidimin e ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të institucioneve të tjera në degën e Lidhjes në Pejë. Mori pjesë në aksionin ushtarak kundër Mehmed Ali Pashë Maxharrit në Gjakovë në muajin shtator të vitit 1878 dhe, në fund të vitit 1879 dhe në fillim të vitit 1880, mori pjesë në luftimet për mbrojtjen e Plavës dhe të Gucisë kundër forcave ushtarake të Malit të Zi. Pas shuarjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Haxhi Zeka, së bashku me Sulejman Vokshin dhe atdhetarë tjerë, gjatë periudhës 1884–1885 udhëhoqën kryengritjet e shqiptarëve kundër Portës së Lartë. Ai u qëndroi besnik ideve autonomiste të Lidhjes së Prizrenit dhe ishte përkrahës i bashkimit të forcave shqiptare, pa dallime fetare dhe krahinore. Në vitin 1893, në bashkëpunim me Bajram Currin, organizuan dhe udhëhoqën kryengritjet antiosmane në rrethinën e Pejës dhe të Gjakovës. Gjatë muajve shkurt–mars të vitit 1897, hodhi themelet e një lidhjeje të re, e cila më pas u njoh si “Besëlidhja shqiptare”. Pas konsultimeve me Komitetin Shqiptar të Stambollit, i cili udhëhiqej nga Sami Frashëri, Haxhi Zeka thirri Kuvendin e Pejës, i cili i zhvilloi punimet nga 23–29 janar 1899. Në këtë kuvend u themelua Lidhja Shqiptare e Pejës, e njohur ndryshe si “Besa-Besë”, me kryetar Haxhi Zekën. Ai mori përsipër organizmin e forcave ushtarake për të mbrojtur tokat shqiptare nga sulmet e Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë. Aktivitetet e tij shqetësuan Perandorinë Osmane, Serbinë dhe Malin e Zi. U vra në një atentat të organizuar nga Serbia, në vitin 1902. (Në fotografi: Haxhi Zeka)

Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1793.

Fotografia: © https://gazetavatra.com/haxhi-zeka-udheheqes-i-levizjes-kombetare-shqiptare/

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Drita Agolli

Lindi në Maqellarë të Peshkopisë Drita Agolli, regjisore e teatrit, aktore, pedagoge e aktrimit, Artiste e merituar.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img