Në Tiranë u nda nga jeta Medar Shtylla, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, funksionar i lartë i shtetit. Lindi në Shtyllë të Korçës, në vitin 1907. Kreu studimet e larta për veterinari në Tuluzë (Francë). Drejtor i Institutit Zooteknik në Xhafzotaj (1933–1940). Gjatë viteve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dha ndihmesë për krijimin dhe funksionimin e këshillave nacionalçlirimtarë dhe të gazetës “Bashkimi”. Në Konferencën II Nacionalçlirimtare (shtator 1943), u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar; në Kongresin e Parë Antifashist Nacionalçlirimtar (Përmet, maj 1944), u zgjodh anëtar i Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe u ngarkua me detyrën e përgjegjësit për sektorin e ekonomisë. Në mbledhjen e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar në Berat u emërua ministër i Ekonomisë (1944–1946). Pas çlirimit kreu detyra të rëndësishme shoqërore e shtetërore: ministër i Shëndetësisë (1946–1958), nënkryetar i Frontit Demokratik, kryetar i Komitetit Kombëtar të paqes dhe anëtar i Këshillit Botëror të Paqes. Është dekoruar me medaljen e artë të Pëllumbit të Paqes në Helsinki (1957). Dha ndihmesë për zhvillimin e mjekësisë shqiptare dhe përgatitjen e kuadrove mjekësorë në vend. Dekan i Fakultetit të Mjekësisë (1955–1963). Deputet në Kuvendin Popullor (1945–1963) dhe kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor (1958–1963). (Në fotografi: Medar Shtylla)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2640.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Medar_Shtylla
Përpunim grafik: AHCF




