Në Tiranë u nda nga jeta Marika Kallamata, aktore, “Artise e merituar”. Lindi në Fier, në vitin 1930. Më 1950 mbaroi liceun artistik “Jordan Misja” dhe po atë vit filloi punë në Teatrin Popullor. Luajti një sërë rolesh të dyta dhe episodike, duke ravijëzuar karaktere origjinale. Spikati me rolin e shërbyeses në komedinë “Mirandolina” të Goldonit, por roli që e bëri tejet të njohur ishte ai i Aspasisë në komedinë “Karnavalet e Korçës” të Spiro Çomorës, më 1964. Me aktrimin e saj përtalli anët supersticioze, injorancën dhe snobizmin e grave provinciale, falë kjo një plastike shënjuese, maskës aktoriale shprehëse, gjestit të figurshëm, mimit të zërit “mashkullor” dhe hollësive të shumta kuptimplote e plotësuese, që ndihmuan në realizimin e një karakteri vetanak. Marika Kallamata ishte aktore karakteresh, më së shumti e atyre të kahut komik dhe me ngjyrime groteske; dinte të shfrytëzonte me efektivitet të lartë elementet plastikore, përdorte të folmen dialektale, gjer edhe zhargonet e bisedës së rrugës; krijonte gjasa interesante, detaje kuptimplote, shkaktonte një humor të vetvetishëm si pasojë e përshtatjes me rrethanën ku dhe kur veprohej. Në kinematografi ka luajtur 14 role, të përmasave të vogla e dytësore, edhe këto role-karakteresh, duke nisur më së pari me filmin “Fëmijët e saj”, 1957 dhe duke vijuar me të tjerët, si “Dollia e dasmës sime” (Xhiko), “Kur hidheshin themelet” (Havaja), “Ëndërr për një karrige” (Ishja), “Një baba tepër” (Filomena) etj. Marika Kallamata u bë shumë e njohur dhe e dashur me mënyrën e ngrohtë, joshëse, sugjestive të rrëfimit, duke pasur një nga audiencat më të gjera, posaçërisht me rolin e gjyshes në emisionin e përrallave për fëmijë në Televizionin Shqiptar. (Në fotografi: Marika Kallamata)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://observerkult.com/marika-kallamata-aktorja-qe-nuk-harrohet-kurre/
Përpunim grafik: AHCF




