Në Korçë lindi Kristaq Antoniu, këngëtar lirik, tenor e më pas bariton, Artist i Popullit. Emigroi në moshë të re në Rumani, ku më 1928 përfundoi Akademinë Mimodramatike të Bukureshtit dhe u bë i njohur si artist kinematografie. Bëri turne nëpër Evropë si këngëtar koncertist dhe operetash. U kthye në Shqipëri më 1933 dhe që nga ai vit u bë pjesëtar i grupit të artistëve lirikë drejtuar nga pianistja Lola Aleksi (Gjoka). Pas çlirimit zhvilloi një veprimtari të pasur artistike si koncertist dhe si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku interpretoi role kryesore në operat “Mrika” të Prenk Jakovës, “Traviata” (Verdi), “Kavaleria rustikana” (Maskanji) etj. U dallua në interpretimin e repertorit koncertor klasik (arie operistike, lirika vokale) dhe popullor qytetar. Është ndër krijuesit e parë të traditës së interpretimit të këngës qytetare korçare. U dallua për bukurinë timbrike të zërit, për dramaticitetin dhe forcën vokale. U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 1979. (Në fotografi: Kristaq Antoniu)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 81.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Kristaq_Antoniu
Përpunim grafik: AHCF




