U nda nga jeta Eduard Lir (Edward Lear, 1812–1888), piktor e grafist anglez. Më 1848, erdhi në Shqipëri dhe vizitoi Tiranën, Krujën, Shkodrën, Kavajën, Beratin, Himarën, Vlorën, Tepelenën e Gjirokastrën. Realizoi disa litografi me ngjyra të këtyre vendeve, në përmasat 17×10 cm dhe i botoi në librin “Journals of a landscape painter in Albania” (“Ditari i një piktori peizazhist në Shqipëri”), Londër, 1851. Më 1852, botoi edhe librin “Journals of a landscape painter in Southern Calabria” (“Ditari i një piktori peizazhist në Kalabrinë e Jugut”), ku ka edhe litografi nga fshatrat arbëreshe. Litografitë e Eduard Lir për Shqipërinë shquhen për realizëm dhe vlera artistike. Kryesisht janë me motive nga natyra e vendit, si dhe me ndërtimet karakteristike, kështjellat etj. Disa prej tyre vlejnë edhe si dëshmi historike të pamjeve që kanë pasur ato vende në shekujt XIX. Eduard Lir ka realizuar edhe tablo me ngjyra vaji. Dy më të njohurat janë: “Mali i Tomorit” dhe “Bregdeti i Shqipërisë”. (Në fotografi: Eduart Lir)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1528.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Edward_Lear
Përpunim grafik: AHCF




