U nda nga jeta Ogyst Dozon (Auguste), ballkanolog dhe albanolog francez. Lindi në Francë, në vitin 1822. Shërbeu në konsullatat franceze të Janinës, Selanikut etj. Botoi veprën “Manuel de la langue Albanaise”, Paris, 1879 (“Libër i gjuhës shqipe”), pjesa e parë e së cilës përmban përralla, këngë popullore, proverba dhe tekste të tjera të pabotuara. Pjesa e dytë ka një gramatikë sistematike të shqipes të bazuar në toskërishten, kryesisht në të folmen e Përmetit. Në një shtojcë përshkruhen edhe tiparet themelore të fonetikës e të morfologjisë së gegërishtes. Në fund të librit jepet një fjalor shqip-frëngjisht, me rreth 4000 fjalë. Përrallat u ribotuan vetëm frëngjisht në librin “Contes albanais”, Paris, 1881 (“Përralla shqiptare”), pajisur me një hyrje dhe me një pjesë të gjerë shkoqitëse. (Në fotografi: Ogyst Dozon)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 507.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Auguste_Dozon
Përpunim grafik: AHCF




