Në Tetovë lindi Arbën Xhaferi, politikan e publicist. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Tetovë, ndërsa studioi për filozofi në Universitetin e Beogradit. Deri në vitin 1990 punoi në Televizionin e Prishtinës, si redaktor përgjegjës për programin kulturor. Pas mbylljes së këtij televizioni nga Serbia, punoi si kolumnist në të përjavshmen “Koha” në Prishtinë dhe shkruante për revistën “Forum”, që drejtohej nga Adem Demaçi. Në vitin 1993 u kthye në Tetovë, duke marrë drejtimin e Partisë për Prosperitetit Demokratik, e më vonë, pas përçarjes së saj, themeloi Partinë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve (PPDSH), e cila iu bashkua Partisë Demokratike Popullore dhe mori emrin Partia Demokratike Shqiptare (PDSH). Për 12 vjet ishte kryetar i PDSH-së, deri në vitin 2007. Ishte deputet në Parlamentin e Maqedonisë (sot Maqedonia e Veriut) nga viti 1994, njëri nga nënshkruesit e Aktit të Themelimit të Universitetit të Tetovës në vitin 1994 dhe njëri nga iniciuesit e themelimit të Universitetit të Evropës Juglindore (2001). Duke qenë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë, me kryeministrin Lubço Georgievski menaxhoi fluksin e madh të refugjatëve shqiptarë nga Kosova në Maqedoni, në vitin 1999. Gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoni në vitin 2001, ishte nënshkrues i “Marrëveshjes së Prizrenit” (së bashku me kryetarin e PPD-së Imer Imerin dhe përfaqësuesin politik të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmetin), që unifikoi faktorin politik dhe ushtarak të shqiptarëve të Maqedonisë. Më pas u bë njëri nga nënshkruesit e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (2001), e cila i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni. Në shtypin shqiptar botoi shkrime të shumta për çështje të ndryshme politike, për zhvillimet në Maqedoni dhe në botën shqiptare në përgjithësi. U nda nga jeta në Shkup, në vitin 2012. (Në fotografi: Arbën Xhaferi)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1766.
Fotografia: © https://www.sobranie.mk/-243f0e9b-41f0-4a59-9c57-7c7f03657ff8-ns_article-arben-xhaferi-94_.nspx
Përpunim grafik: AHCF




