Në Tiranë lindi Besim Zekthi, valltar, koreograf, “Artist i merituar”. Kreu liceun artistik “Jordan Misja” dhe u rendit midis kërcimtarëve të parë të Filarmonisë. Talenti i tij shkëlqeu si solist në “Vallen e shpatave” nga baleti “Gajane” i A. Haçaturianit (1954). Me themelimin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore kaloi si solist i grupit të valleve. Në vitet ’60 të shekullit XX shfaqi individualitet të spikatur në vallet: “Vallëzimi i shqipeve”, “Vallja e gështenjave” etj., në të cilat, ashtu si edhe në shumë të tjera, kërceu plot hijeshi dhe temperament. Loja e tij virtuoze u shfaq dhe në realizime të tjera madhore në vallet: “Festë të madhe ka Shqipëria”, si dhe në baladën koreografike “Luftëtarët e lirisë”, ku me shtatlartësinë dhe vështrimin ngulitës skaliti figurën përgjithësuese të luftëtarit malësor. Besim Zekthi është autor i dhjetëra krijimeve koreografike, ku veçohet “Vallja e Librazhdit”, fituese e çmimit të parë në Koncertet e Majit (1971). U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 2020. Ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së dytë; është dekoruar me urdhrin “Mjeshtër i Madh”, si dhe me titullin “Nderi i kombit”. (Në fotografi: Besim Zekthi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2984.
Fotografia: © https://www.classlifestyle.com/news/44169/ndahet-nga-jeta-ne-moshen-84-vjecare-besim-zekthi-mjeshtri-i-valles-popullore-shqiptare/eng/
Përpunim grafik: AHCF




