U nda nga jeta Naim S. Frashëri, aktor i teatrit dhe i filmit, Artist i Popullit, Hero i Punës Socialiste. Lindi në Leskovik, në vitin 1923. Filloi të merret me teatër që në gjimnazin e Tiranës e më pas në teatrin partizan. Në maj 1945, me krijimin e Teatrit të Shtetit (sot Teatri Kombëtar) filloi karrierën si profesionist. Aktor i fuqishëm dramatik, me ndjeshmëri të lartë e temperament shpërthyes, krijoi mbi 80 personazhe, heronj tragjikë e romantikë, nga dramaturgjia shqiptare dhe botërore, ndër të cilët, në teatër: Hamleti (Shekspir), Selimi dhe Jonuzi (“Familja e peshkatarit”, Sulejman Pitarka), gjenerali (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Ismail Kadare), Shpendi (“Mbi gërmadha”, Fadil Paçrami), Ferdinandi (“Intrigë dhe dashuri”, Shiler), Edgari (“Mbreti Lir”, Shekspir), xhaxha Vanja (Anton Çehov) etj.; në kinematografi: Pali (“Skënderbeu”, 1953), Mësuesi (“Fëmijët e saj”, 1956), Stefani (“Tana”, 1957), Qemali (“Furtuna”, 1959), doktor Artani (“Gjurma”), kirurgu (“Plagë të vjetra”) etj. Loja aktoriale e Naim S. Frashërit spikat për vërtetësi në përjetimin e gëzimit dhe të vuajtjes e të brengës njerëzore. Naim S. Frashëri kishte mimikë dhe plastikë të zhvilluar ekspresive, zë me diapazon të gjerë, tingëllues e me timbër të ngrohtë njerëzor. Ishte mjeshtër i analizës, vlerësonte botën e brendshme të figurës, gjendjet dramatike të saj, duke bërë të dukshme psikikën e tronditur dhe trazimin shpirtëror të personazhit, veçanërisht të personazheve shqiptare, që shquhen për natyrën realiste, tepër njerëzore dhe bindëse. Naim S. Frashëri dha ndihmesë të madhe për forcimin e karakterit kombëtar të Teatrit Shqiptar, në përgatitjen e aktorëve të rinj, si pedagog në degën dramatike të Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Ka marrë Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë. (Në fotografi: Naim S. Frashëri)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 728–729.
Fotografia: © https://fjala.al/2020/08/15/aktori-naim-frasheri-perkujtohet-nga-i-biri-ne-diten-e-lindjes-se-tij/
Përpunim grafik: AHCF




