Oborri Mbretëror Shqiptar shpalli zyrtarisht fejesën e mbretit Zog me konteshën hungareze Geraldina. Në 26 janar të vitit 1938, gazetat e Budapestit njoftojnë se kontesha Geraldine Apponyi pritet të fejohet me mbretin e shqiptarëve, Ahmet Zogun, 43-vjeçar. Të nesërmen, oborri mbretëror shqiptar e konfirmoi këtë lajm. Geraldina ishte takuar me mbretin Zog në dhjetor 1937, me ndërmjetësimin e motrës së monarkut. Geraldina shkoi në Shqipëri dhe brenda disa ditësh çifti u fejua. Kontesha 22-vjeçare, bija e kontit të ndjerë Gyula Apponyi, ish-oficer hungarez, dhe e Virginia Stewart, bija e një diplomati amerikan, ishte katolike dhe punonte në Muzeun Kombëtar të Budapestit kundrejt një pagese të vogël. (Në fotografi: Çifti mbretëror)
Teksti: Muzeu Historik Kombëtar
Fotografia: © Muzeu Historik Kombëtar
Përpunim grafik: AHCF




