Lindi në Shkodër Zef Benusi, gjyqtar, prokuror, ministër i Arsimit dhe i Kulturës (korrik-shtator 1943). Studimet e mesme i kreu në Kolegjin Saverian të qytetit, kurse të lartat në Universitetin e Romës, në Fakultetin e Jurisprudencës. Pas diplomimit, më 1932, u kthye në Shqipëri dhe Ministria e Drejtësisë e emëroi anëtar të Gjykatës së Shkallës së Parë në qytetin e Korçës. Pasi disa vitesh u transferua në qytetin e Tiranës dhe të Shkodrës. Në korrik të vitit 1943 u emërua ministër i Arsimit dhe i Kulturës. Dha dorëheqje dy muaj më vonë; paskëtaj, deri në mbarim të luftës, u mor me avokati. U arrestua në fillim të vitit 1945, me akuzën: “Ka marrë pjesë në qeverinë kuislinge të Eqrem Libohovës në Dikasterin e Arësimit, tue u cilësue kështu si armik i popullit. Ka qenë edhe në Kom. e internimeve”. Në Gjyqin Special, të zhvilluar në muajt mars-prill të vitit 1945, meqenëse nuk ishte përfshirë me asnjë lloj veprimtarie të cilësuar nga komunistët si armiqësore, u dënua vetëm me pesë vjet burg. Pas dënimit, iu sekuestrua pasuria që kishte në Tiranë (tokë dhe shtëpi). Të mbetur në mes të katër rrugëve, e shoqja me të birin, Antonin, u shtrënguan të strehoheshin tek të afërmit e tyre në Shkodër. Bëri vetëm dy vjet burg dhe kur doli, në vitin 1947, punoi si punëtor krahu. Më vonë u internua edhe katër vite të tjera (1954–1958) në Shtyllas të Fierit dhe në Kuç të Kurveleshit. Pasi mbaroi të gjithë internimin, u kthye në qytetin e Shkodrës dhe aty nga viti 1962, kur regjimi komunist bëri disa lëshime të vogla ndaj atyre që i konsideronte armiq të klasës dhe reaksionarë, u lejua të ushtronte për tri–katër vjet profesionin e avokatit në Lezhë. Vdiq në moshën 65-vjeçare. (S’KA FOTOGRAFI)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. I, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2012, faqe 170–171.
Përpunim grafik: AHCF




