Në Strelle të Epërm të Pejës lindi Adem Istrefi, shkrimtar. Me të mbaruar shkollën fillore, në moshën 14-vjeçare u arratis në Shqipëri. Pas shkollimit të mesëm, kreu studimet për gjuhë e letërsi në Universitetin e Tiranës. Një kohë të gjatë ka punuar në redaksinë e “Librit Shkollor” në Tiranë, më vonë redaktor në revistën “Nëntori”. Ka shkruar poezi dhe prozë, por është marrë edhe me kritikë dhe me publicistikë letrare. Ka botuar librat me poezi: “Net kosovare” (1967), “Mëngjesi i së nesërmes” (1969), “Dritaret e fjalës” (1972), “Gjerdan lirie” (1977), “Një zog midis meje dhe diellit” (1989), “Arti i vdekjes bukur” (2007) etj; pastaj romanet: “Lëshoma hisen e diellit” (1984), “Lemeria” (1992), “Argatët e dreqit” (1997), “Askundia” (2004); librat e tregimeve: “S’mund t’i lija pa folë” (1988) dhe “Nganjëherë i bëja me sy vdekjes” (2004). U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 2020. (Në fotografi: Adem Istrefi)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 698.
Fotografia: © https://www.kultplus.com/lajme/vdes-shkrimtari-adem-istrefi/
Përpunim grafik: AHCF




