Në një përpjekje në Kolesjan të Kukësit u vra Hasan Kërxhalliu, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Hero i Popullit. Lindi në fshatin Bicaj të rrethit të Kukësit, në vitin 1902. Përqafoi vijën e Partisë Komuniste Shqiptare dhe u bë propagandist i saj në krahinën e Lumës. Partizan në çetën e Lumës (1943) e më vonë komandant kompanie në radhët e Brigadës XXIV Sulmuese (1944). Anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare në prill 1944. Dha ndihmesë për ngritjen e këshillave nacionalçlirimtarë në rrethin e Kukësit. Pas çlirimit, si komandant kompanie në batalionin e Mbrojtjes së Popullit që vepronte në krahinën e Lumës, luftoi për eliminimin e grupeve të armatosura armiqësore ndaj regjimit në fuqi. (Në fotografi: Hasan Kërxhalliu)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1160–1161.
Fotografia: © Akademia e Shkencave e Shqipërisë
Përpunim grafik: AHCF




