Në Rusi u nda nga jeta Agnia Vasilevna Desnickaja, gjuhëtare ruse, profesore, anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik, albanologe. Lindi në vitin 1912. Kreu studimet e larta për filologji gjermane në Institutin Pedagogjik “A. I. Hercen” në Leningrad (1931). Punoi në Institutin Pedagogjik, në Universitet dhe Institutin e Gjuhësisë të Akademisë së Shkencave (dega e Sankt-Peterburgut), ku pati edhe detyra drejtuese. Në vitet 1976–1988 drejtoi sektorin e studimeve krahasuese-historike të gjuhëve indoevropiane dhe të gjuhësisë areale, ku gjeti vend interesimi për ballkanistikën e posaçërisht për shqipen. Më 1957 themeloi degën e gjuhës e të letërsisë shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Leningradit dhe e drejtoi atë deri më 1992. Vizitoi Shqipërinë për herë të parë më 1946, por rëndësi pati qëndrimi për qëllime studimi më 1957; po atë vit nisi botimi i punimeve të saj kushtuar gjuhës e letërsisë shqipe. Mori pjesë disa herë në veprimtari shkencore të organizuara në Prishtinë (1974–1986) dhe në kolokiumin kushtuar Naim Frashërit (Tiranë, 1990). Përgatiti edhe një brez studiuesish, që vijojnë punën mësimore e shkencore për gjuhën e letërsinë shqipe. Me interesimin e saj u botuan një varg punimesh për problemet e gramatikës e të leksikut të gjuhëve ballkanike. Agnia Vasilevna Desnickaja u mor me një varg fushash të studimeve shqiptare: me historinë e gjuhës, dialektologjinë, huazimet leksikore, strukturën morfologjike, gjuhën letrare dhe gjuhën e folklorit, me lidhjet ballkanike të shqipes, letërsinë shqipe dhe epikën. I përmbahej mendimit për prejardhjen ilire të shqipes. Përveç artikujve të shumtë, botoi veprën sintezë “Albanskij jazyk i ego dialekty” (1968), e cila u botua e përkthyer shqip “Gjuha shqipe dhe dialektet e saj” (Prishtinë, 1972) dhe përmbledhjen “Letërsia shqipe dhe gjuha shqipe” (1987). (Në fotografi: Agnia Vasilevna Desnickaja)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 453.
Fotografia: © https://www.derstandard.de/story/2000136529999/agnija-vasilievna-desnitskaja-die-russische-sprachwissenschafterin-und-albanologie
Përpunim grafik: AHCF




