Në malet e komunës së Zubin Potokut, u rrëmbye dhe u zhduk Adem Ademi, mjek, kirurg. Lindi në Ashlan, komuna e Vushtrrisë, në vitin 1948. Shkollën fillore e nisi në vendlindje, e përfundoi në Mitrovicë, ku kreu dhe shkollën e mesme. Studimet për mjekësi i filloi në Universitetin e Shkupit dhe i përfundoi në Universitetin e Zagrebit. Fillimisht punoi si mjek në Mitrovicë. Specializimin për kirurgji e përfundoi në Zagreb në vitin 1979; më 1981 u emërua kryeshef i repartit të kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku punoi deri më 1992, kur përjashtohet nga puna nga organet e dhunshme serbe. Po atë vit hapi ordinancën e vet kirurgjike, në të cilën deri në vitin 1999 u trajtuan shumë persona të keqtrajtuar dhe të plagosur nga policia serbe. Me fillimin e luftës, Adem Ademi mori detyrën e kirurgut në Zonën e Shalës, në spitalin e improvizuar ushtarak të Brigadës 141 “Mehë Uka”, në të cilin trajtoheshin ushtarët e Zonës së Llapit. Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, mbeti në malet e komunës së Zubin Potokut, ku u rrëmbye bashkë me 23 persona të tjerë, kryesisht intelektualë të profileve të ndryshme. Që nga ajo datë është evidentuar si i zhdukur. Krahas punës profesionale, u mor edhe me publikime shkencore. (Në fotografi: Adem Ademi)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 8.
Fotografia: © https://koscs.org/sq/dr-adem-ademi/
Përpunim grafik: AHCF




