Në Zonën Operative të Llapit u zhvilluan “Luftimet e Kaçanollit”, luftime të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 15 shtator 1998 armiku sulmoi pozicionet e Brigadës 151 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim që të thyente qëndresën në zonën mbrojtëse dhe pastaj të depërtonte në prapavijë. Më pas filluan luftimet ballore, në të cilat armikut iu shkaktuan dëme të ndjeshme në njerëz e teknikë luftarake. Luftime të ashpra u zhvilluan dhe ditën e dytë e të tretë, duke e penguar armikun të depërtonte në krahun e djathtë e të majtë të njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërkohë Komanda e Zonës Operative të Llapit mori masa për zhvendosjen e popullatës, të të plagosurve dhe të spitalit ushtarak, si dhe të mjeteve të tjera teknike e materiale. Ditën e katërt, armiku, me përqendrim të madh të forcave e teknikës luftarake, u përpoq të depërtonte për të marrë nyjën rrugore afër fshatit Bajgorë, ku depërtoi, por pësoi humbje të mëdha në njerëz. Afër mesnatës së kësaj date, armiku u dëbua përfundimisht nga ky territor. Gjatë tërheqjes, forcat serbe bënë masakra në popullsinë civile. (Në fotografi: Lapidari kushtuar të rënëve në Llap.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1561.
Fotografia: © https://www.facebook.com/RamushHaradinajOfficial/photos/a.228559177268504/1351488808308863/
Përpunim grafik: AHCF




