U nda nga jeta Said Najdeni (Hoxhë Voka), veprimtar i Lëvizjes Kombëtare, Mësues i Popullit. Lindi në fshatin Perlep të Dibrës së Madhe, në vitin 1864. Studimet e larta i përfundoi në Stamboll, në Medresenë e Hajdar Fatihut (1884). Pas çeljes së Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës (1887), hapi fshehtas, në bodrumin e dyqanit të Sherif Gorencës, shkollën e parë shqipe të Dibrës së Madhe (1888). Më pas hapi shkolla të tjera në Golloborde, Zerqan, Dohoshisht, Brezhdan etj. Për shkak të veprimtarisë atdhetare u arrestua dhe u dënua me 15 muaj burg në Stamboll. Ndonëse i sëmurë me tuberkuloz, Said Najdeni dha ndihmesë edhe në organizimin e “Besëlidhjes së Dibrës”, e cila u bë pjesë e “Lidhjes së Pejës” (1899). Në vitin 1900 botoi në Sofje librin “Abetare e gjuhës shqipe, ndë të folë gegenisht”, hartuar mbi bazën e abetares së Sami Frashërit. (Në fotografi: Said Najdeni)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1807.
Fotografia: © https://dritaislame.al/said-najdeni-hoxhe-voka-vogli-1864-1903-nuk-vuaj-per-para-e-per-grada-por-per-komb-e-atdhe/
Përpunim grafik: AHCF




