Gjatë betejës në Gradinë të Shkabajve (Drenicë, Kosovë) u vra Xhevë Lladrovci (Krasniqi), veprimtare e çështjes kombëtare, luftëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Heroinë e Kosovës. Lindi në Drenoc të Malishevës, në vitin 1955. Pas shkollës së mesme kreu Fakultetin Juridik dhe studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Pas studimeve punoi në shkollën e mesme të Kijevës. Gjatë veprimtarisë ilegale, pas vitit 1981, u njoh me Fehmi Lladrovcin, me të cilin më 1991 u shpërngul në Kroaci. Ishin pjesëmarrës aktivë në luftën e Kroacisë. Në vitin 1993 emigroi në Gjermani, ku vazhdoi veprimtarinë politike në kuadrin e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK). Në vitin 1977, së bashku me Fehmiun, u kthye në Kosovë, duke kontribuar në masivizimin dhe konsolidimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U shqua për organizimin e aksioneve dhe të betejave kundër forcave serbe dhe u bë oficerja e parë që ligjëroi në shkollën e oficerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likoc të Drenicës. Më 22 shtator 1998, kur forcat serbe ndërmorën një ofensivë kundër pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në tërë Kosovën, Xhevë Lladrovci, bashkë me Fehmiun dhe luftëtarë të tjerë të Brigadës 114 bënë rezistencë të vendosur. Pas shumë orë luftimesh, po atë ditë, në Gradinë të Shkabajve ra në betejë. Në vitin 2008 nga Presidenti i Kosovës u dekorua me urdhrin “Heroinë e Kosovës”, ndërsa më 2015, Presidenti i Shqipërisë e dekoroi me titullin “Nderi i Kombit” për kontribute të veçanta në luftën për pavarësi të Kosovës. (Në fotografi: Xhevë Lladrovci)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1016.
Fotografia: © https://www.facebook.com/Veriuinfo/photos/
Përpunim grafik: AHCF




