U zhvillua “Beteja e Savrës”, një nga ndeshjet e para ballore të shqiptarëve me pushtuesit osmanë. Nën udhëheqjen e Balshës II, forcat shqiptare i dolën përpara një ushtrie kalorësish osmanë të komanduar nga Timurtashi, një prej udhëheqësve më të sprovuar ushtarakë osmanë. Ndeshja u zhvillua në Fushën e Savrës, në juglindje të Lushnjës. Ushtria e Balshës synonte t’u mbyllte rrugën depërtimit forcave osmane, të cilat po godisnin pareshtur tokat shqiptare. Osmanët përfituan nga konfliktet që po zhvilloheshin midis sundimtarëve feudalë shqiptarë, një nga të cilët, Karl Topia, iu drejtua për ndihmë. E ndodhur nën presionin e feudalëve boshnjakë dhe duke nënvlerësuar forcat armike, ushtria shqiptare u doli përpara osmanëve pa përgatitjen e duhur. Si rrjedhojë, ajo pësoi disfatë dhe Balsha II mbeti i vrarë në fushën e betejës. Me dobësimin e principatës së Balshajve iu hap rruga depërtimit osman në brendësinë e trojeve shqiptare. (Në fotografi: Vepra e piktorit Lazar Taçi “Beteja e Savrës 1385”, 1989.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 231–232.
Fotografia: © Muzeu Historik Lushnjë
Përpunim grafik: AHCF




