Në Gjinar të Elbasanit u formua “Brigada XVII Sulmuese e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. U formua nga batalionet e Shpatit, Vërçës, Dumresë dhe me vullnetarë të rinj të krahinave të Elbasanit, me efektiv rreth 700 luftëtarë, të cilët u organizuan në 3 batalione me komandant Gjeli Argjirin, komisar politik Qamil Guranjakun. Brigada u rreshtua menjëherë në përbërje të Divizionit IV Sulmues. Më 2 tetor 1944 kaloi në zonën e Matit e të Peshkopisë, ku, deri në fillim të nëntorit, ndihmoi për ngritjen e forcimin e pushtetit të këshillave popullorë, si dhe për të mobilizuar popullin në luftë. Me urdhër të Shtabit të Korparmatës I Sulmuese, mori pjesë në luftën për çlirimin e Tiranës, në fillim si rezervë e përqendruar në rajonin e Mulletit e të Lundrës, ndërsa më 13 nëntor mori detyrën që të godiste kolonën gjermane të grupit “Steyrer”, që lëvizte në rrugën Qafë-Kërrabë-Tiranë. Brigada organizoi pritën në rajonin Fikas-Ibë dhe, në bashkëveprim me forcat e tjera të korparmatës, i shkaktoi armikut humbje të mëdha. Më 14 dhjetor u rreshtua në përbërje të Divizionit VIII Sulmues dhe u vendos në Peshkopi. Nga radhët e Brigadës XVII Sulmuese ranë 27 dëshmorë. (Në fotografi: Brigada XVII Sulmuese në Qafë Murrë, Dibër.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 307–308.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




