Në Shkodër lindi Mikel Koliqi, klerik katolik, kardinal, muzikant, kompozitor. Shkollën fillore e nisi në Shkodër dhe e mbaroi në vitin 1911 në kolegjin “Arici” të Etërve Jezuit në Breshia të Italisë. Në Itali kreu dhe gjimnazin, pjesërisht në Monxa e pjesërisht në Bergamo e Bari. Në këtë periudhë mori vendimin për t’u bërë prift, duke lënë përgjysmë studimet në vitin e dytë, për të vijuar studimet teologjike në seminarin “Corso di Venezia” të Milanos dhe më vonë në seminarin Vonogonos (1928–1930). Në 30 maj 1931 u shugurua meshtar në Kishën e Jezuitëve të Shkodrës, nga Arqipeshkëvi i Shkodrës Imzot Lazër Mjeda (1869–1935). Sapo mbaroi studimet, para se të kthehej në Shkodër, ku qe emëruar ndihmësfamullitar, iu drejtua Luigj Bumçit që ta dërgonte në ndonjë shkollë muzikore. Ai u dërgua në Austri pranë një kori të famshëm. Kompozoi dhe realizoi në skenë tri melodrama me theks të fortë patriotik (“Rozafa”, “Rrethimi i Shkodrës” dhe “Ruba e kuqe”), si dhe rreth 40 pjesë korale. Themeloi revistën “Kumbona e së diellës” dhe e drejtoi atë si kryeredaktor nga numri i parë (1938), derisa u mbyll me arrestimin e tij, më 2 shkurt 1945. U lirua katër vite më vonë, por, pa kaluar shumë kohë, u arrestua sërish dhe u dënua me internim. Në vitin 1977, në moshën 75-vjeçare, u dënua për të tretën herë me pesëmbëdhjetë vjet burg. U lirua me amnistinë e vitit 1986. Më 31 janar të vitit 1992 iu dha titulli “Monsinjor”. Pas hapjes së kishave u emërua famullitar, detyrë të cilën e dorëzoi vetë për arsye moshe. Më 28 nëntor 1994 u shugurua kardinal në Vatikan nga vetë papa Gjon Pali II (1978–2005). U nda nga jeta në vitin 1997. (Në fotografi: Mikel Koliqi)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. IV, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2015, faqe 294.
Fotografia: © https://diasporashqiptare.al/2021/01/28/nderi-i-kombit-mikel-koliqi-ne-pervjetorin-e-ndarjes-nga-jeta/
Përpunim grafik: AHCF




