Në Dubovik të Deçanit (Kosovë) lindi Jusuf Gërvalla, shkrimtar, veprimtar i çështjes kombëtare, Hero i Kosovës. Kreu shkollimin në vendlindje, ndërsa studimet në Prishtinë dhe në Lubjanë. Një kohë punoi si përkthyes në gazetën “Flaka e vëllazërimit” në Shkup, më pas gazetar në të përditshmen “Rilindja” në Prishtinë, ku ndoqi aktivitetet kulturore dhe veprimtaritë muzikore në Kosovë dhe më gjerë. Në fushën e letërsisë ka botuar veprat: “Fluturojnë e bien” (1975), “Shenjat e shenjta” (1980), “Rrotull” (1983). U bë i njohur edhe me veprat e tij dramatike dhe publicistike, si dhe në fushën e përkthimit. Gjithashtu dha kontribut edhe në fushën e muzikës. Për shkak të aktivitetit të tij atdhetar dhe politik, u detyrua të largohej nga Kosova dhe u vendos në Gjermani, ku mori statusin e të strehuarit politik. Në emigracion vazhdoi të merret me aktivitet politik, duke marrë pjesë në organizimet e mërgimtarëve nga Kosova. Fillimisht botoi gazetën “Lajmëtari i Lirisë” (1980), e më vonë “Zëri i Kosovës” (1981). Jusuf Gërvalla përfaqëson intelektualin e përmasave të veçanta kombëtare, vepra e të cilit është projektuar përbrenda vizionit poetik dhe idealit kombëtar. Dimensioni krijues i veprës së tij shqipton tema letrare që ndërlidhen me fatin e njeriut dhe të popullit shqiptar. Konsiderohet një ndër veprimtarët më të rëndësishëm të çështjes kombëtare. U vra në Untergruppenbach, afër Shtutgartit në Gjermani, në vitin 1982. (Në fotografi: Jusuf Gërvalla)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 505–506.
Fotografia: © https://gazetavatra.com/jusuf-gervalla-poet-dhe-atdhetar-i-shquar/
Përpunim grafik: AHCF




