Lindi në Borsh, Xhezair Dafa, regjisor i filmit dokumentar dhe artistik. Pas mbarimit të shkollës së lartë për aktor “Aleksandër Moisiu” (1965) u emërua si as/regjisor në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”. Më 1970 realizon filmin e tij të parë dokumentar “Kujdes”, ku vihen re elemente të filmit artistik si edhe detaje humoristike. Në vitet e mëvonshme, Xhezair Dafa xhiron edhe 24 dokumentarë të tjerë. Filmi i parë artistik i Xhezair Dafës është “Odiseja e tifozëve” (1972), një kinokomedi e metrazhit të shkurtër me skenar të S. Plasarit. Më pas xhiron edhe tre filma të tjerë artistikë: “Udhëtim i vështirë” (1977, S: B. Hoxha, H. Rama, bashkëregjisor P. Llanaj), “Këshilltarët” (1979, S: K. Gjonaj) dhe “Itendenti” (1980, S: S. Godo). Për disa vite Xhezair Dafa ka punuar në Arkivin Shtetëror të Filmit në sektorin e pasurimit me filmime për ngjarje dhe njerëz të ditës. U nda nga jeta në vitin 2020. (Në fotografi: Xhezair Dafa)
Teksti: Kristaq Dhamo
Fotografia: © https://www.facebook.com/306900972690421/posts/2695558067158021/
Përpunim grafik: AHCF




