U zhvillua “Masakra e Belegut”, masakër e forcave ushtarake dhe policore të Serbisë e kryer në fshatin Beleg të komunës së Deçanit. Banorët e këtij fshati ishin kthyer në shtëpitë e tyre pas ofensivës së shtatorit të vitit 1998. Në fshatin Beleg ishin strehuar edhe banorë të fshatrave të tjera (Drenoc, Sllup, Irzniq, Hulaj, Carrabreg etj.), të cilët një ditë më parë ishin përzënë me dhunë nga shtëpitë e tyre. Më 29 mars fshati u rrethua nga të katër anët nga forcat serbe, të përcjellë me tanke, autoblinda dhe mjete të tjera të motorizuara. Njësitet e policisë serbe hynë nëpër shtëpi dhe i nxorën me dhunë banorët, duke i grumbulluar në qendër të fshatit. Me këtë rast i kishin ndarë burrat dhe gratë dhe, pas plaçkitjes dhe djegies së dokumenteve, burrat i mbyllën në një shtëpi dhe gratë e fëmijët në një shtëpi tjetër të fshatit, duke i mbajtur plot 24 orë nën tortura, përdhunime dhe keqtrajtime. Të nesërmen, më 30 mars, gratë dhe fëmijët i detyruan të nisen në drejtim të Shqipërisë, ndërkaq ndaluan rreth 50 burra. Nga grupi i të ndaluarve nuk mbijetoi asnjë dëshmitar. Dëshmitarin e vetëm të mbijetuar nga ky grup, i cili me shumë plagë në trup kishte arritur të largohej nga vendi i ekzekutimit, policia serbe e kapi pas tri javësh në fshatin Isniq të Deçanit, në një familje shqiptare, ku po mjekohej dhe e likuidoi për të zhdukur dëshmitë e krimeve. Pas përfundimit të luftës, në një shtëpi të lagjes “Vishaj” të Belegut janë gjetur gjurmë të masakrës: eshtra gjymtyrësh të djegura, gishtërinj të duarve, unaza, pjesë të këmbëve, këpucë etj. Në vende të ndryshme janë gjetur mbetjet mortore të 12 të ekzekutuarve, ndërkaq edhe 34 civilë të tjerë vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur. (Në fotografi: Pamje e kompleksit memorial të “Masakrës së Belegut”.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1053.
Fotografia: © https://www.facebook.com/photo/?fbid=162580809761594&set=a.162580796428262
Përpunim grafik: AHCF




