U zhvillua “Masakra e Pastaselit”, masakër e forcave policore dhe ushtarake të Serbisë mbi popullsinë civile shqiptare në fshatin Pastasel të komunës së Rahovecit. Në këtë masakër u vranë 106 civilë shqiptarë prej moshës 14–95 vjeç. Fshati Pastasel shtrihet në pjesën jugperëndimore të malit Koznik, rreth 10 km në veriperëndim të Rahovecit. Në ditët e fundit të muajit mars të vitit 1999, në fshatin Pastasel ishin zhvendosur mijëra banorë shqiptarë të dëbuar nga komuna e Rahovecit, Klinës, Malishevës, Skënderajt, Pejës etj. Ditën e masakrës forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe e granatuan fshatin me artileri të rëndë nga të gjitha anët. Për t’iu shpëtuar predhave, banorët u detyruan t’ia mësyjnë luginës që gjendej menjëherë nën fshat. Ndërkohë, forcat serbe me tanke depërtuan në fshat, i rrethuan civilët, u plaçkitin grave stolitë dhe gjërat e vlefshme dhe i urdhëruan të nisen në drejtim të Shqipërisë. Nga turma ndanë 120 meshkuj. Pasi u konfiskuan letërnjoftimet, me të rënë muzgu të ndaluarit i dërguan buzë përroit, ku i ekzekutuan me rafalë automatikësh. Një ditë më vonë, për t’i zhdukur gjurmët e krimit, një numër kufomash i dogjën në rimorkio të traktorëve dhe në shtëpitë që gjendeshin aty pranë. Kufomat e tjera i lanë në fund të rrëpirës pranë përroit. Dy ditë pas masakrës, banorë lokalë të mbijetuar i varrosën të ekzekutuarit pranë shkollës së fshatit. Pas bërjes publike të masakrës, më 21 prill 1999 policia serbe i zhvarrosi trupat e të vrarëve dhe me një kamion civil i barti në drejtim të Rahovecit, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve. Fati i dhjetë personave të zhvarrosur edhe sot mbetet i paditur. Nga 106 të ekzekutuar, shumica ishin nga fshatrat e komunës së Rahovecit: Pastaselit, Senocit, Zatriqit, Kramovikut, Polluzhës, Çifllakut, Kaznikut e Gurit të Kuq, ndërsa të tjerët nga Gremniku i Klinës, Malisheva, Peja, Skënderaj etj. Masakrës i mbijetuan 14 dëshmitarë, dy prej të cilëve dëshmuan edhe në Tribunalin e Hagës. (Në fotografi: Përkujtimore e “Masakrës së Pastaselit”.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1057–1058.
Fotografia: © https://symptomspeak.com/sq/2022/03/30/perkujtimore-e-masakres-se-pastaselit/
Përpunim grafik: AHCF




