U zhvillua “Masakra e tretë e Lybeniqit”, masakër e forcave ushtarake dhe policore të Serbisë, e kryer ndaj banorëve civilë të fshatit Lybeniq afër Pejës dhe rreth tij. Disa ditë pas masakrës së dytë (1 prill 1999), në vendin e quajtur te Stanet e Belit në bjeshkët e Lybeniqit, civilët e mbetur të ngujuar duke kërkuar shpëtim, u rrethuan nga njësitet ushtarake të Serbisë, me ç’rast vrasin edhe dhjetëra civilë të tjerë, prej tyre 9 banorë të Lybeniqit, 18 nga Raushiqi, 10 nga Buçani e disa të tjerë nga fshatrat e tjera të Pejës dhe të Deçanit, duke i vrarë, duke ua prerë kokat dhe duke i hedhur në greminë. Një pjesë e kufomave të të vrarëve në masakrat e Lybeniqit janë gjetur në grykën e quajtur Ujëvara e Lybeniqit, një pjesë në varrezat e Pejës, disa janë gjetur në varrezat masive në afërsi të Beogradit, por ende një numër të vrarësh konsiderohen të zhdukur. (Në fotografi: Pamje e fshatit Lybeniq afër Pejës.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1063.
Fotografia: © https://www.facebook.com/lybeniq/photos/d41d8cd9/3001848296608597/
Përpunim grafik: AHCF




