U nda nga jeta Turhan pashë Përmeti (1839–1927), diplomat i Perandorisë Osmane dhe funksionar i lartë politik i shtetit shqiptar. Lindi në Përmet. Kreu gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Karrierën politike e filloi si sekretar në Ministrinë e Jashtme, në Stamboll; më pas u dërgua ambasador i Perandorisë Osmane në disa vende evropiane. Kryeministër i qeverisë shqiptare në mars–gusht 1914 dhe dhjetor 1918 – janar 1920. Kryetar i delegacionit shqiptar (janar 1919 – janar 1920) në Konferencën e Paqes në Paris, ku parashtroi kërkesat e qeverisë që kryesonte, për ruajtjen e pavarësisë së tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. Qeveria e Turhan pashë Përmetit u rrëzua nga Kongresi i Lushnjës për orientimin proitalian të saj. (Në fotografi: Turhan pashë Përmeti si kryeministër dhe ministër i Jashtëm)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2006.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




