Në rajonin Shtime-Jezerc-Carralevë (Kosovë) u zhvillua “Beteja e Carralevës”, që u zhvillua ndërmjet kryengritësve shqiptarë, të udhëhequr nga Isa Boletini dhe forcave të ushtrisë osmane, të komanduara nga gjenerali Shefqet Turgut pasha. Morën pjesë 20 mijë ushtarë turq kundër 8 mijë shqiptarëve. Më 8 maj, njësitë turke u hodhën në mësymje masive, por ndeshën në qëndresën e vendosur të shqiptarëve. Sulmet e përsëritura më 9–10 maj çanë sektorin e mbrojtjes së kryengritësve në Jezerc. Më 11 maj, forcat osmane, si dhe dy grupe të tjera të ndihmuara nga disa batalione të reja të ardhura nga Prizreni e Mitrovica, rrethuan grupin e Isa Boletinit. Në orët e pasdites, kryengritësit çanë rrethimin dhe u tërhoqën drejt Drenicës. Nga të dyja palët pati shumë të vrarë e të plagosur. (Në fotografi: Udhëheqësi i betejës, Isa Boletini)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 226.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




