Në Shkodër lindi Lec Kurti, kompozitor, diplomat dhe veprimtar politik. Studioi për muzikë në Pezaro (Itali) dhe mandej në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia, për kompozicion. Krijimtaria muzikore e tij shtrihet gjatë viteve 1900–1916 dhe përfshin vepra të gjinive të ndryshme: sonata, variacione, trio, romanca, kuartete, muzikë dhome, muzikë korale, muzikë simfonike etj. Në vitin 1915 kompozoi operën “Arbëreshja”, me temë nga jeta shqiptare dhe me libret të vet autorit, por që nuk arriti ta përfundojë plotësisht. Ajo mbahet si prova e parë e kompozitorëve shqiptarë në fushën e muzikës operistike. Në vitet 1918–1939 shërbeu në diplomaci: funksionar i Ministrisë së Punëve të Jashtme (1918–1920), më pas në përfaqësitë diplomatike shqiptare në Bari dhe në Romë (1920–1924), në legatën shqiptare në Athinë (1926–1929), ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë (1930–1935), ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Britaninë e Madhe (1935–1939), ku denoncoi i pari botërisht pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Në maj 1939, me ftesë të Faik Konicës, shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u zgjodh kryetar i federatës panshqiptare “Vatra”. Më pas u kthye në atdhe; në vitin 1942 ishte ndër themeluesit e organizatës Balli Kombëtar dhe u zgjodh kryetar i saj për prefekturën e Shkodrës. Me rikrijimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme (tetor 1943) hyri përsëri në shërbimin diplomatik. Në nëntor 1944 emigroi në Itali, ku u bë një nga veprimtarët kryesorë të emigracionit politik shqiptar. Më 28.07.1946 Lec Kurti nënshkroi një memorandum në mbrojtje të Shqipërisë dhe të çështjes shqiptare, dërguar Konferencës së Paqes në Paris. U nda nga jeta në Romë, më 1948. (Në fotografi: Lec Kurti)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1421.
Fotografia: © Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”.
Përpunim grafik: AHCF




