Në Bukuresht të Rumanisë u themelua “Shkolla Normale Shqipe”, institucion i mesëm arsimor me profil pedagogjik, i themeluar me nismën e shoqërisë “Drita” të Bukureshtit dhe kryesisht të kryetarit të saj, Nikolla Naço. Ndiqej nga të mërguarit shqiptarë, si dhe nga rumunë, konviktorë e të jashtëm. Mësimet jepeshin në gjuhën shqipe dhe rumune. Ndër nxënësit e kësaj shkolle përmenden rilindësit Mihal Grameno, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), Dervish Hima, Shahin Kolonja, Jashar Erebara etj. Si tekste mësimore janë përdorur edhe veprat shqipe të botuara nga shtypshkronja shqiptare në Bukuresht, si libri “Leçitja shqipe” (1887) e Jovani Risto Llazit Terovës dhe “Gramatika e gjuhës shqipe” (“Gramatical limbii albaneze”), që u përgatit posaçërisht për këtë shkollë nga filologu rumun Bogdan Hazhdeu. (Në fotografi: Ballina e librit “Leçitja shqipe”, 1887)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2486.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Shkolla_Normale_e_Bukureshtit
Përpunim grafik: AHCF




