U nda nga jeta Gjerasim Qiriazi (1858–1894), veprimtar i Lëvizjes Kombëtare, themelues i Shkollës së Parë Shqipe të Vashave në Korçë, autor tekstesh mësimore, Mësues i Popullit. Lindi në një familje patriote kolonjare, në fshatin Tërnovë të Manastirit. I anëtarësuar në Bashkësinë Ungjillore të Manastirit, iu dha mundësia të vazhdonte studimet në Kolegjin Teologjik Amerikan Protestant, në Samokov të Bullgarisë (1878–1882). Punoi si misionar ungjillor i Shoqërisë Biblike Britanike dhe shpërndarës i librave të kësaj shoqërie në Shqipëri dhe në Maqedoni (Maqedonia e Veriut). Krahas shpërndarjes së diturive fetare në gjuhën shqipe, përhapi edhe abetaret, librat e gazetat laike shqiptare. Së bashku me të motrën, Sevasti Qiriazi, çeli në Korçë shkollën e njohur shqipe për vajzat (1891). Për nevojat e shkollave shqipe shkroi dhe përktheu poezi në gjuhën shqipe, kompozoi këngë etj. Për veprimtarinë e tij u përndoq nga pushtuesit osmanë dhe klerikët e Megali Idhea-s greke (platformë e nacionalistëve grekë për shtrirjen e shtetit të tyre brenda territoreve shqiptare). (Në fotografi: Gjerasim Qiriazi; Gjerasim Qiriazi me kostum kombëtar.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2183-2184.
Fotografia: © Muzeu Historik Kombëtar
Përpunim grafik: AHCF




