Në Korfuz të Greqisë lindi Jusuf Vrioni, përkthyes i letërsisë shqipe në gjuhën frënge. Rininë e kaloi në Paris, ku i ati, Iliaz Vrioni, ishte ambasador i shtetit shqiptar. U diplomua për jurisprudencë dhe shkenca politike (1938). Në verën e vitit 1943, u kthye në Shqipëri. Në vitin 1947 u arrestua dhe vuajti një burgim të gjatë politik. Pas daljes nga burgu (1959), u mor me përkthime nga shqipja në frëngjisht. U bë i njohur me përkthimet mjeshtërore, kryesisht të krijimtarisë së Ismail Kadaresë në gjuhën frënge. Në vitin 1997 u emërua ambasador i Shqipërisë në UNESCO dhe më 1998, botoi në Francë autobiografinë e tij në frëngjisht “Mondes effacés – Souvenirs d’un Européen” (“Botë të shuara – kujtime të një evropiani). Është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës” dhe nga shteti francez me urdhrat: Chevalier de l’Ordre des Arts et des Lettres (“Kalorës i Urdhrit të Arteve e të Letrave”), dhe Chevalier de la Légion d’Honneur (“Kalorës i Legjionit të Nderit”). (Në fotografi: Jusuf Vrioni)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2922–2923.
Fotografia: © Agjencia Telegrafike Shqiptare
Përpunim grafik: AHCF




