Në Paris u nda nga jeta Iljaz Vrioni, kryeministër i Shqipërisë në tri qeveri, diplomat, veprimtar politik. Lindi në Berat. Shkollën e mesme dhe studimet e larta në degën e shkencave politike, i kreu në Stamboll. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës (1912) si delegat i Beratit. Kuvendi i Vlorës e zgjodhi anëtar të Pleqësisë (Senatit). Ishte përfaqësues i Beratit në Kongresin e Lushnjës (1920). Kryesoi tri prej dhjetë qeverive që u ndërruan në Shqipëri në vitet 1920–1924 (nëntor 1920 – korrik 1921; korrik – tetor 1921; 27 maj – 10 qershor 1924); ministër i Punëve të Jashtme (mars – maj 1924). Deputet i Beratit në Asamblenë Kushtetuese (1924). Pas fitores së Revolucionit të Qershorit të vitit 1924 u largua nga vendi, për t’u kthyer pas shtypjes së Revolucionit. U caktua përsëri me detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme (1927–1928). Në vitet e fundit të jetës, Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Francë. Është dekoruar me Urdhrin francez “Oficer i lartë i Legjionit të Nderit” nga Presidenti i Francës. (Në fotografi: Iljaz Vrioni)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2922.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Iljaz_bej_Vrioni
Përpunim grafik: AHCF




